Interi vazhdon të gëzoj tifozët e vetë, teksa sonte siguroi edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.
“Zikaltërit” në ndeshjen e parafundit të sezonit në Serie A, triumfuan 3:2 ndaj Atalantas së Berat Xhimshitit, që sonte e regjistroi paraqitjen e tij të 23-të në kampionat.
Lukaku dhe Barella shënuan dy gola të shpejtë që në tre minutat e parë të ndeshjes, derisa shpresat e skuadrës nga Bergamo i riktheu kroati Pashaliç, kur në minutën e 36-të shënoi për 2:1.
Në minutën e 77-të Lautaro Martinez sërish kaloi Interin në epërsi prej dy golave, ndërkohë fare në fund të takimit, Muriel falë edhe ndihmës së portierit Onana, shënoi golin më të bukur të mbrëmjes, duke vendosur rezultatin përfundimtarë të këtij takimi të zhvilluar në “Xhuzepe Meaca”, Interi 3, Atalanta 2.
Me këtë fitore, Interi ngjitet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 69 pikë, duke siguruar në këtë mënyrë Ligën e Kampionëve edhe për edicionin e ardhshëm, ndërkohë një gjë e tillë nuk mund të thuhet për skuadrën e Atalantas, që me 61 pikë renditet në pozitën e 5-të. (infOSport.mk)