Ndeshja e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Dytë midis dy skuadrave shqiptare, Bashkimit dhe Vëllazërimit do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Tetovës, njofton “infOSport.mk”.
Pas shortit të hedhur në mesditë, Komisioni i Garave pranë FFM-së vetëm disa orë më pas vendosi edhe qytetin nikoqir të këtij takimi, që zgjon mjaft interes në mesin e futbolldashësve në vend.
Takimi midis Teteksit dhe Osogovës, është vendosur të zhvillohet në Veles, ndërkohë në stadiumin e qytetit në Kërçovë do të përballen Vardar Negotino dhe Novaci.
Janë këto tre takimet që do të japin 3 emrat e skuadrave që edicionin 2023/24 do të luajnë në Ligën e Dytë, aty ku me short përveç skuadrave fituese, do të përcaktohen edhe dy skuadra të tjera, që do të plotësojnë numrin e 16 skuadrave pjesëmarrëse në këtë ligë. (infOSport.mk)