Mançester Siti i ka mbajtur leksion futbolli sonte Realit të Madridit në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra e Pep Guardiolas regjistroi fitore 4:0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:1 me plotë meritë u kualifikua në finalen e madhe të Stambollit, ku do të përballet me Interin e Simeone Inzaghit.
Pjesa e parë kaloi në shenjë të Bernardo Silva, i cili realizoi që të dy golat e parë, derisa në pjesën e dytë goditjen përfundimtare 14 herë kampionëve të Europës i’a dha lojtari i tyre, Militao, që shënoi në rrjetën e gabuar në minutën e 76-të, ndërkohë në minutën e 91-të, rezervisti Hulian Alvarez shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e Kurtua, i cili vlen të theksohet se plotë 3 herë doli fitues përballë Haland, që sonte nuk e kishte mbrëmjen e tij.
Reali i Ançelotit sonte ishte i pafuqishëm ndaj futbollistëve mjaft të disponuar për lojë të Sitit, teksa tentativën e vetme, përmes të cilës mund të shënonte gol, e kishte gjatë pjesës së parë, kur goditja e Toni Kros përfundoi në traverzë.
Në finalen e madhe Siti i Guardiolas do të përballet me Interin, skuadër kjo që mbrëmë në gjysmëfinalen e parë eliminoi Milanin.
Finalja e edicionit 2022/23 do të luhet në Stamboll me datë 10 qershor.