Bunjamin Shabani po kalon momentet më të mira me fanellën e Struga Trim Lum, por njëkohësisht edhe momentet më të lumtura të jetës, pasi vetë dy ditë më parë ai morri titullin BABA. Pra dy tituj brenda pak ditëve, pas atij të titullit kampion, që gjatë ditës së sotme i kurorëzoi me dy gola.
“Nga një gol për dy titujt” – kështu e nisi intervistën Bunjamin Shabani, i cili sot përballë Shkëndijës ishte më i dalluari në rradhët tona, duke ndihmuar skuadrën që në fund nga Tetova të rikthehemi me fitore, pavarësisht disavantazhit që kishim.
“Një fitore shumë e rëndësishme për ne si skuadër, pasi e njëjta u realizua përballë një ekipi shumë cilësor, siç është Shkëndija. Jam i lumtur për golat, pasi i shërbyen skuadrës për të fituar ndeshjen. Gjithsesi se këto golat vijnë në një periudhë shumë të çmuar për mua, pasi të dielën neve festuam titullin e parë në histori, ndërsa vetëm një ditë më pas në jetë erdhi vajza ime. Dy çmime shumë të mëdha që më dhanë epitetin kampion dhe BABA. Të dielën ndaj Sileksit me ato dy gola paraljërova titullin dhe ardhjen në jetë të vajzës, ndërsa sot erdhi vula, pasi mendoj se të fitosh ndeshjen ndaj një rivali të madh, është gjëja më e mirë për të dëshmuar se me meritë jemi shpallur kampion” – u shpreh Bunjamin Shabani.
Falë dy golave të sotëm, Shabani arriti në kuotën e 12 golave, duke u renditur tashmë i dyti në listën e golashënuesve në Ligën e Parë, menjëherë pas bomberit tonë, Besart Ibraimi, që numëron 18 gola.