Janë zhvilluar sot takimet e javës së 29-të në Ligën e Dytë, pas të cilave mësuam edhe emrin e skuadrës së dytë që edicionin e ri do të luaj në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Pas Voska Sport, që një gjë të tillë kishte bërë që xhiron e kaluar, sot edhe zyrtarisht një vend për në elitën e futbollit vendor, siguroi edhe skuadra e dytë shqiptare, KF Gostivari.
Këta të fundit para tifozëve të tyre mundën Borecin me rezultatin 4:0, falë “dopietës” së Antonio Kalanoskit dhe golave të shënuar nga mbrojtësit Fisnik Zuka dhe Viktor Krstevski.
3 gola të Behar Fetait dhe 2 të Alen Jasharovskit i siguruan fitoren 5:3 Voska Sportit përballë Detonit Plaçkovica, ndërsa fitore minimale për dy skuadrat gostivarase, Besën e Dobërdollit dhe Arsimin e Çegranit. Skuadra e trajnerit Tanevski falë golit të Ersin Shabanit në minutat shtesë të takimit mundi Karaormanin me rezultatin minimal 1:0, ndërsa me po të njëjtin rezultat, KF Arsimi i trajnerit Saliu, mundi Bellasicën në Strumicë falë golit të shënuar nga Lorik Lika në minutën e 14-të.
Derbi i madh midis Vardarit dhe Pelisterit i zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, u mbyll me barazimin 1:1, ndërsa Lokomotiva pësoi disfatë 2:1 në transfertën në Kamenicë përballë skuadrës së Sasa-s, që tashmë ndodhet jashtë pozitave të rrezikut, por që ende nuk ka siguruar mbijetesën, për të cilën xhiron e fundit do të luftojë edhe Teteksi, që sot në Tetovë, mundi ekipin e Kozhuvit me rezultatin 4:2. Sulmuesi veteran, Hristijan Kirovski realizoi 3 gola në këtë ndeshje për skuadrën tetovare, ndërsa një gol realizoi edhe Mustafa Jusuf.
Pas fitores së sotme 3:0 ndaj Ohrid Lihnidos, një fije shpresë për mbijetesë, edhe atë nga pozita e balotazhit, ka edhe Slloga Vinica, që aktualisht renditet në pozitën e parafundit me 25 pikë, 3 më pak se Teteksi i vendit të 13-të, që ka 28 pikë. (infOSport.mk)