Pas Voska Sport, sot edhe zyrtarisht në Ligën e Parë pritet të promovohet edhe KF Gostivari, skuadër kjo që në kuadër të javës së 29-të në terren vendas do të mirëpret “fenerxhiun”, Borecin, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Gostivarit është favorit absolut përballë skuadrës nga Velesi, ashtu që fitorja nuk duhet diskutuar në asnjë moment.
Aktualisht KF Gostivari ndodhet në pozitën e dytë në Ligën e Dytë me 67 pikë, 5 më shumë se Vardari i vendit të tretë, që me shumë gjasa një vend për në elitën e futbollit vendor do ta kërkojë përmes ndeshjeve të balotazhit.
Voska Sport, skuadër kjo që në xhiron e kaluar siguroi një vend për në Ligën e Parë, sot para tifozëve të vetë do të kërkoj që të mbyll sezonin me fitore, për të festuar më pas në fundjavë bashkë me ta edhe suksesin më të madh në histori.
Besa e Dobërdollit që me 45 pikë figuron lartë në tabelë, në pozitën e 6-të, përballë Karaormanit do të tentojë 3 pikët e plota për tu ngjitur edhe një pozitë më lartë, ndërsa KF Arsimi i trajnerit Vildan Saliu do të ketë një transfertë të vështirë në Strumicë përballë Bellasicës.
Ndeshja më interesante e javës do të zhvillohet në Kamenicë, aty ku skuadra vendase e Sasa-s në duelin e drejtëpërdrejtë për mbijetesë do të mirëpret Lokomotivën, ndërsa pikët janë shumë të rëndësishme edhe për Teteksin dhe Sloga Vinicën, që do të luftojnë deri në fund për të garuar edhe një vit tjetër në Ligën e Dytë.
Ish fituesi i Kupës së Maqedonisë, Teteksi, në Tetovë do të mirëpret Kozhuvin, që tashmë ka siguruar egzistencën, ndërkohë Slloga Vinica me fitore eventuale ndaj Ohrid Lihnidos do të shpresonte të paktën deri në xhiron e fundit.
Derbi më i madh i kësaj jave do të zhvillohet në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit, aty ku mejdanin do të ndajnë dy skuadrat rivale, Vardari dhe Pelisteri. Të gjitha ndeshjet e sotme startojnë në ora 17:00. (infOSport.mk)