Struga Trim Lum me plotë të drejtë mbrëmë deri në orët e vona të mbrëmjes festoi titullin kampion, të parin në historinë 8-vjeçare, mirëpo që sot kjo skuadër po mendon për ndeshjen e rradhës kundër Shkëndijës, që në program është në mesjavë, njofton “infOSport.mk”.
Ekipi strugan në këtë ndeshje do të futet pa asnjë lloj presioni, dhe kjo mund të sjellë një tjetër ndeshje të bukur nga ana e kampionëve të ri. Për dallim nga Struga Trim Lum, skuadra e Shkëndijës do të tentojë fitoren, me shpresë për tu rikthyer në pozitën e dytë, aty ku aktualisht ndodhet FC Shkupi.
Ndeshjen derbi të javës së 32-të midis Shkëndijës dhe Struga Trim Lumit në Tetovë, do ta referojë kërçovari, Aleksandar Grujoski, ndërsa ndeshjen midis dy skuadrave shkupjane, FC Shkupi dhe Makedonija GJ.P në Çair do ta referojë, Krumisllav Gjorgjiev nga Shtipi.
Kumanovari, Nderim Tefiku do të jetë kryesori i takimit midis Tikveshit dhe Skopjes në Kavadar, Stojançe Stojanov nga Shtipi do të gjykojë në Kratovë, në duelin midis dy skuadrave ish kampione, Sileks-Rabotniçki, ndërkohë strugani Jovan Kaçevski është caktuar për takimin midis Bregallnicës dhe Akademia Pandevit, që do të luhet në Shtip.
Të gjitha ndeshjet e javës së 32-të në Ligën e Parë, në program janë të mërkurën (10.05), duke filluar nga ora 17:00. (infOSport.mk)