Shpëtim Duro flet për titullin e parë kampion me Struga Trim Lum

Trajneri Shpëtim Duro do të mbahet mend gjatë kohë në historinë e Struga Trim Lum, pasi i njëjti vuri vulën e parë të titullit kampion, që e kishte nisur Srgjan Zaharievski. Duro drejtimin e skuadrës strugane e morri me datë 1 mars të vitit 2023, duke udhëhequr skuadrën në plotë 10 ndeshje, 9 prej të cilave në kampionat, ku Struga Trim Lum kishte regjistruar 7 fitore dhe 2 barazime, me një gol-averazh 21:5.

Fitorja e fundit 3:0 ndaj Sileksit bëri që Duro të buzëqesh dhe ti gëzohet titullit të dytë kampion si trajner, pas asaj me Skënderbeun në vitin 2011, dhe të parin me Struga Trim Lum, skuadër kjo që në këtë mënyrë ndërpreu dominimin 15-vjeçar të skuadrave nga Shkupi dhe Tetova, kur janë në pyetje titujt kampion në Ligën e Parë të Maqedonisë.

 “Është moment, me thënë të drejtën i pabesueshëm, moment historik, kjo nuk diskutohet, por është edhe unik sepse një skuadër që ka 8 vite që ëshë krijuar, tre vite  është në Ligën e Parë, të shpallet kampion ndaj rivalëve me traditë si Shkëndija dhe Shkupi, që kanë buxhete shumë, shumë më të larta se Struga Trim Lum, është rast unik, për më shumë që jemi në luftë edhe për trofeun e dytë, atë të Kupës së Maqedonisë.  Sigurisht që këto janë parametra që duhet të ketë një skuadër kampione. Kemi qenë shumë kompakt, për sa i përket situatave me portën tonë, skuadrat nuk na kanë rrezikuar si rezultat i kompaktësisë së skuadrës, kemi shënuar gola rregullisht, por edhe kemi pranuar shumë pak, afro 10-11 ndeshje, vetëm 5 gola dhe vetëm 1 gol që na ndikoi negativisht, ai gol i pranuar në fund të takimit me Skopjen na e bëri që neve ta shtyejmë akoma edhe më shumë festën e titullit kampion, por që megjithatë erdhi këtë vit në Strugë” – është shprehur Duro për faqen zyrtare të kampionëve të rinj të Maqedonisë, Struga Trim Lum.

 

Leave a Reply