Struga Trim Lum sot edhe zyrtarisht u shpall kampione e Maqedonisë në futboll, duke shkruar historinë më të lavdishme, pas themelimit të tyre vetëm në vitin 2015-të. Pra vetëm brenda 8 viteve, kjo skuadër e udhëhequr nga Kompania gjigande, Trim-Lum, me pronar struganin Mendy Qyra, bëri që Struga e tij e bukur të festojë dhe të krenohet me djelmoshat e skuadrës së tij, Struga Trim Lum, që zhvilloi një sezon të shkëlqyer, shkruan “infOSport.mk”.
Ata që nga xhiroja e parë, e deri në fund të kampionatit, edhe pse kanë mbetur edhe dy xhiro deri në mbyllje të sezonit 2022/2023, ishin të parët dhe në këtë mënyrë dëshmuan se me punë dhe me një sponzor stabil pas vetes, ëndërrat mund të realizohen shumë më shpejtë, nga ajo që edhe janë planifikuar të njëjtat.
Skuadra e Struga Trim Lum në përballjen e vlefshme të javës së 31-të, në terren vendas mirëpriti Sileksin. Djelmoshat e trajnerit Shpëtim Duro, shumë të motivuar, e mbi të gjitha të urritur për titullin e parë kampion, që nga starti i takimit u vunë në sulm. Rastet para portës së Bozhinovskit, renditeshin sikurse në shiritin filmik, para se bomberi kërçovar, Besart Ibraimi, të dëshmojë edhe njëherë tjetër se është më i miri në zanatin e tij, shënimin e golave, duke realizuar për 1:0.
Për dallim nga pjesa e parë, pjesa e dytë nuk solli edhe aq shumë raste, mirëpo solli dy gola që mbajnë firmën e kapitenit, Bunjamin Shabani, i cili fillimisht në minutën e 47-të realizoi nga pika e bardhë për 2:0, derisa në minutën e 78-të pas një super aksioni brenda zonës kundërshtare shënoi edhe golin e tretë, duke vendosur rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Struga Trim Lum 3, Sileksi 0.
NDESHJET TJERA
Derbi i madh shqiptarë midis FC Shkupit dhe Shkëndijës i zhvilluar në Çair u takoi vendasve, që deri tek fitorja 2:1, erdhën duke rikthyer rezultatin, kjo pasi “kuqezinjtë” nga Tetova avansuan të parët me golin e shënuar nga Erald Çinari në minutën e 17-të. Adetunxhi falë gabimit të mbrojtësit Maksimov në minutën e 28-të shënoi për 1:1, ndërkohë golin e fitores për FC Shkupin e realizoi mbrojtësi Darko Ilieski në minutën e 73-të.
Lum golash në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, aty ku Rabotniçki regjistroi fitore 5:4 ndaj Bregallnicës. Makedonija GJ.P nuk pati aspak mëshirë ndaj Pobedës, duke i shënuar 7 gola në rrjetën e tyre, ndërkohë një fitore të thellë, por si mysafir regjistroi edhe Tikveshi që me shifrat 4:1 mundi Akademia Pandevin.
Kjo disfatë e Akademia Pandev, shton shpresat e Skopjes për mbijetesë në elitën e futbollit vendor, aty ku kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro. (infOSport.mk)
LPFMV – Java 31 |
||||||||||||||||||
|