Struga Trim Lum e frikshme në Shtip, FC Shkupi kthehet me pikë të plota nga Kratova

Struga Trim Lum ka zhvilluar një ndër ndeshjet më të mira të këtij sezoni si mysafir, teksa pa shumë probleme mundi Bregallnicën në Shtip me rezultatin e thellë 3:0, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro këtë fitore e paralajmëroi vetëm pas 9-të minutave lojë, kur Hristijan Maleski shfrytëzoi harkimin e Edis Maliqit nga e djathta, duke shënuar një ndër golat më të bukur personal të shënuar gjatë këtij sezoni.

Goli i dytë erdhi në minutën e 41-të dhe ishte pjesë e bomberit Besart Ibraimi, që realizoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, ndërkohë golin e tretë dhe të fundit për ekipin strugan në këtë transfertë e realizoi Marjan Radeski në minutën e 47-të.

FC Shkupi me dy gola të shënuar gjatë pjesës së dytë me anë të Renato Cefas (49’) dhe Fredy Alvarez (69’) mundi Sileksin në Kratovë me shifrat 2:0.

Që dita e sotme të kalojë në shenjën e skuadrave mysafire, u përkujdesën edhe dy skuadrat shkupjane, Skopje dhe Rabotniçki.

“Romantikët” mundën Tikveshin në Kavadar me rezultatin 3:1, ndërkohë Skopje me shifrat 4:0 mundi Pobedën në Prilep, skuadër kjo që me shumë gjasa vitin tjetër do të rikthehet në Ligën e Dytë.

Ish sulmuesi i FC Shkupit, Azer Omeragiç hapi serinë e golave për “piratët” nga Hekurana, ndërsa në pjesën e dytë në skenë dolën dy futbollistët e talentuar shqiptarë, 20-vjeçari Bujar Hajdari dhe 18-vjeçari Besmir Daci, i cili në paraqitjen e tij të katërt me fanellën e Skopjes realizoi golin debtues.

Një gol tjetër për skuadrën e trajnerit Mirsad Jonuz gjatë pjesës së parë, realizoi edhe Mile Todorov.

Kujtojmë, të shtunën Shkëndija mundi Makedonija GJ.P me shifrat 3:1, ndërkohë Akademia Pandev ishte skuadra e lirë këtë xhiro. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 30

Bregallnica 0:3 Struga TL
Sileksi 0:2 FC Shkupi
Tikveshi 1:3 Rabotniçki
Pobeda 0:4 Skopje
Shkëndija 3:1 Makedonija GJ.P
Ak.Pandev e lirë  

Leave a Reply