Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme në terren vendas do të mirëpret Tikveshin nga Kavadari, ndaj së cilës skuadër kishte barazuar 1:1 në ndeshjen e parë të stinorit pranveror. Humbja e dy pikëve nga ajo ndeshje duhet të jetë një motiv shtesë për lojtarët strugan, që pritet të japin maksimumin në takimin ndaj skuadrës nga Kavadari.
Abdylhadi Jahja është i bindur se Struga Trim Lum për momentin është skuadër më e mirë se Tikveshi dhe se me një angazhim maksimal të të gjitha lojtarëve, pikët këtë herë do të mbeten në Strugë.
“Atmosfera në klubin tonë është e shkëlqyeshme, nesër na pret një ndeshje e rëndë, premtoj se si skuadër do të japim maksimumin që pikët të mbeten në Strugë. Duke pasur parasysh se janë vetëm ndeshjet e fundit, tashmë çdo ndeshje për ne është shumë e rëndësishme, ashtu që me një luftë të pakompromis shpresoj ti fitojmë të gjitha ndeshjet dhe në fund të sjellim titullin në Strugë” – deklaroi Abdylhadi Jahja, i cili këtë edicion numëron 20 ndeshje dhe 3 asistime, duke mos shijuar ende golin e parë.