Jusuf Kaba datën e 15 prillit do e mbajë mend një kohë të gjatë, pasi i njëjti në moshën e tij 19-vjeçare debutoi me ekipin e parë të Struga Trim Lum.
Kaba luan si mesfushor qëndror, ndërsa ekipit të parë i bashkohet falë talentit dhe paraqitjeve të tij me ekipet e të rinjëve te skuadra strugane, ku kishte kaluar të gjitha moshat.
Kaba premton shumë për të ardhmen, ndërsa te Struga Trim Lum besojnë që ky të jetë një fillim i mbarë për shpresën e madhe të futbollit strugan dhe jo vetëm.
Kaba me fanellën e ekipit të parë të Struga Trim Lum debutoi të shtunën e kaluar kundër Pobedës nga Prilepi, duke u inkuadruar në lojë në minutën e 76-të në vend të bomberit kërçovarë, Besart Ibraimi.
Ky i fundit realizoi “tripletën” e parë me fanellën e Struga Trim Lum, që regjistroi një fitore të thellë 6:2, me ç’rast kjo skuadër vazhdon të kryesojë renditjen edhe pas 27-javëve të kaluara në Ligën e Parë, tashmë me 53 pikë, 6 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë. (infOSport.mk)