Finalja e Kupës për sezonin 2022/23 do të zhvillohet në Strumicë

Finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2022/2023, e ku për trofeun e Kupës do të luftojnë Struga Trim Lum dhe Makedonija GJ.P, do të luhet në stadiumin “Bllagoj Istatov” në Strumicë, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë vendosi sot Këshilli Drejtues i FFM-së, i cili stadiumin e qytetit në Strumicë e kishte përzgjedhur para atij “Tumbe Kafe” në Manastir, pasi ky i fundit ende ka mungesën e reflektorëve, që nevojiten për një ndeshje të këtij karakteri.

Ndërkohë arena “Todor Proeski” në Shkup, njëherit impianti ynë më i madh në vendin tonë, e ku janë zhvilluar pjesa më e madhe e ndeshjeve finale, nuk është marrë në konsideratë, kjo për shkak gjendjes aktuale, por edhe rikuperimit të tij për ndeshjen e 16 qershorit kundër Ukrainës, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2024.

Finalja e sivjetshme e Kupës së Maqedonisë midis Struga Trim Lum dhe Makedonija GJ.P do të zhvillohet me datë 20 maj, ndërsa do të jetë kjo hera e parë që skuadra strugane do të luftoj për trofeun e Kupës së Maqedonisë.  (infOSport.mk)

Leave a Reply