Struga Trim Lum ka regjistruar edhe fitoren e rradhës në kampionat, duke mundur këtë herë Akademia Pandevin në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Ekipi strugan shënoi fitore 3:1, ndërsa vlen të theksohet se që të tre golat të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro i realizuan brenda vetëm 8 minutave gjatë pjesës së parë.
Besart Ibraimi në minutën e 12-të realizoi një super gol nga gjuajtja e lirë. Kur të gjithë prisnin që Ibra të harkojë brenda zonës nga krahu i majtë, ai vendosi që të godas drejtëpërdrejtë, duke vendosur topin pas shpinës së portierit mysafir.
Nuk vonoi shumë dhe tre minuta më vonë, Ibraimi sërish doli në skenë duke realizuar edhe golin e dytë personal dhe të 12-tin e sezonit, duke vazhduar në këtë mënyrë të kryesojë edhe listën e golashënuesve në elitën e futbollit vendor.
Këto dy gola të bomberit kërçovarë i dhanë krahë skuadrës, që vazhdoi të sulmojë, e ku si rezultat në minutën e 20-të erdhi edhe goli i tretë, kësaj rradhe me autorë Suhel Muharemi, i cili kishte asistuar edhe në golin e dytë të sulmuesit kërçovarë.
Ky gol u tregua edhe si i fundit gjatë pjesës së parë, ndërsa mysafirët golin e nderit e realizuan në fillimin e pjesës së dytë, kur gjeorgjiani Mikheili Ergemlidze me një goditje nga vija e 16-të metërshit shënoi me të djathtën e tij.
Pas këtij goli u mendua se Ak.Pandev do të sulmojë dhe do të tentojë të bëjë diç më tepër në këtë ndeshje, megjithatë një gjë të tillë nuk u’a lejuan futbollistët strugan, që shumë shpejtë vendosën lojën nën kontroll, duke administruar mjaft mirë mesfushën, ku fituan shumicën e dueleve.
Në një moment të tillë, Marjan Radeski në minutën e 79-të goditi shtyllën, pas pasimit të Bunjamin Shabanit, i cili edhe sot bëri një paraqitje shumë të mirë, pavarësisht që i mungoi goli.
Fitorja e sotme ishte e 14-ta sezonale për Struga Trim Lum, që vazhdon të kryesojë renditjen me 49 pikë, 5 më shumë se Shkëndija që renditet e dyta, ndërkohë FC Shkupi tashmë renditet në pozitën e tretë me 42 pikë. (infOSport.mk)