E shtuna ka rezultuar tejet pozitive për skuadrat shqiptare në Ligën e Dytë, kjo pasi të gjitha 4 skuadrat pjesëmarrëse arritën të shënojnë fitore, njofton “infOSport.mk”. Për më tepër gëzojnë fitoret e dy skuadrave pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë, Voska Sport, gjegjësisht Gostivari, që triumfuan në transfertat në Lindje, në Vinicë dhe Strumicë.
Skuadra e trajnerit Berat Imeri, Voska Sport mundi Slloga Vinicën me shifrat 3:1, kjo falë dopietës së Izair Eminit dhe një goli tjetër të shënuar nga Xhemil Jahiji, ndërkohë Gostivari me shifrat 3:0 mundi Bellasicën, pas golave të realizuar në 20 minutat e fundit të takimit nga Antonio Kalanoski, Emran Ramadani dhe Filip Petkovski.
Fitore 3:1 edhe për KF Arsimin nga Çegrani, që para tifozëve të vetë mundi Karaormanin. Shkupjani Samet Rexhepi realizoi gjatë pjesës së parë, derisa në pjesën e dytë në skenë doli Shpend Asani, që realizoi dy gola në minutat 63 dhe 90.
Edhe përkundër disavantazhit që kishin gjatë pjesës së parë, Besa e Dobërdollit doli fitues në ndeshjen mes skuadrave nga Pollogu, duke mundur Teteksin midis Tetovës me shifrat 2:1. Maliq Beluli dhe Lavdrim Skenderi u përkujdesën për fitoren e skuadrës shqiptare, që pas 22 xhirove renditet në pozitën e 6-të me 33 pikë të tubuara, ndërkohë Teteksi mbetet në zonën e rrezikshme dhe në kuotën e 15 pikëve.
Ohrid Lihnidos falë golave të shënuar nga Martin Niçeski dhe David Mateski mundi Borecin me rezultatin 2:0,po me të njëjtin rezultat Pelisteri mundi Detonit Plaçkovican, Kozhuvi ngadhnjeu 2:1 ndaj Lokomotivës, ndërkohë Vardari me shifrat 3:0 mundi Sasa-n, për të vazhduar kryesimin e renditjes me 55 pikë, dy më shumë se Voska Sport e vendit të dytë. (infOSport.mk)