Federata Franceze e Futbollit ka bërë të ditur se nuk do të lejojë ndalimin e ndeshjeve në kohën e iftarit. FFF u ka dërguar një email zyrtarëve të ndeshjeve, duke u rikujtuar atyre ndalimin e ndërprerjes së lojës në kohën e iftarit.
Derisa Bundesliga gjermane dhe Premierliga angleze do të japin pushim gjatë ndeshjeve në kohën e iftarit gjatë periudhës së Ramazanit, në mënyrë që futbollistët e besimit mysliman të mund të konsumojnë ujë dhe ndonjë gjë tjetër, Federata Franceze e Futbollit dhe Komisioni i Gjyqtarëve, nuk e kanë parë të arsyeshme një gjë të tillë.
Madje, ato ua kujtuan zyrtarëve të ndeshjeve ndalimin e kësaj praktike.
“Futbolli nuk merr parasysh konsideratat politike, fetare, ideologjike apo sindikale të lojtarëve. Ky parim vlen për të gjithë: organet – klubet – mbajtësit e licencës – gjyqtarët. I takon të gjithë aktorëve të sigurojnë respektimin e tij”, shkruhej në emailin e Federatës Franceze, njofton mediat e atjeshme.