Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka është deklaruar për herë të parë për udhëtimin e tij në Novi Sad të Serbisë, atje ku me Zvicrën e tij u përball me Bjellorusinë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Ai ka thënë se nuk ishte vendim i lehtë për të shkuar atje, por dëshira e madhe për ta ndihmuar Zvicrën bëri që ta marr një vendim të tillë pas konsultimit me trajnerin Murat Yakin.
“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me Murat Yakin para ndeshjes për të shkuar apo jo. Ishte gjithmonë e qartë për mua se doja të vija dhe të luaja futboll. Nuk ishte një vendim i lehtë për të gjithë të përfshirët në këtë situatë. Por, më vjen mirë që u kthyem me tre pikë”, – ka thënë Xhaka i cili realizoi një gol në atë fitore të thellë të “helvetikëve” prej 5:0, ndërsa gjithashtu asistoi edhe në dy gola të tjerë.
Granit Xhaka sonte kundër Izraelit, ndeshje kjo e vlefshme për grupin “I” eliminatorë, do të zhvillojë ndeshjen e 112-të me Zvicrën, për të cilën kombëtare ka arritur të shënojë edhe 12 gola.