Ndeshja midis Polonisë dhe Shqipërisë, që luhet sot në Varshavë, është paraprirë nga polemika të vazhdueshme për shkak të situatës së stadiumit “PGE Narodowy” ku edhe do tw zhvillohet dueli i Grupit E të eliminatoreve për EURO 2024.
Shkak është bërë çatia e stadiumit e cila është lëvizëse dhe sipas autoriteteve në Varshavë, përbën rrezik për jetën e të pranishmëve.
Lëvizja e çatisë është raportuar se është problematike ne momentet që hapet dhe mbyllet në varësi të kushteve atmosferike, apo edhe gjatë ndeshjes.
Punonjësit e urbanistikës në Varshavë kishin kërkuar që stadiumi të mbyllej derisa të riparohej plotësisht problemi. Por në fund UEFA ka dhënë dritën e gjelbër që takimi të luhet rregullisht në këtë impiant.
Megjithatë, në mbledhjen e sotme teknike, delegati i UEFA-s u ka bërë të qartë polakëve që e gjithë ndeshja duhej të luhej me çatinë e mbyllur, pasi kështu e gjithë struktura raportohet se është më solide dhe nuk krijon asnjë lloj problemi.
Vendasve u është bërë e qartë se mund të përballen me sanksione në ndeshjet e tjera nëse nuk riparojnë këtë problem.