Super arritje, Vjollca Izeiri nga Gostivari referoi duelin e Ligës së Kampionëve, Bajern M.-Arsenal

Referja e futbollit, Vjollca Izeiri nga qyteti i Gostivarit datën e 21 marsit të vitit 2023 do ta mbaj mend gjatë kohë, pasi e njëjta ishte asistente e arbitres kryesore, Ivana Projkovska, poashtu nga Maqedonia, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në konkurrencë të femrave midis Bajernit të Munihut dhe Arsenalit, njofton “infOSport.mk”.

Izeiri në këtë super ndeshje luajti rolin e asistentes së parë të bashkëqytetares së saj, Ivana Projkoskas, që me mjaft sukses ndau drejtësinë në këtë përballje, ku ndau edhe dy kartonë të verdhë, nga një për secilën skuadër.

Për Izeirin kjo është një tjetër arritje e madhe, ndërsa delegimi për këtë ndeshje të këtij niveli flet për punën e shkëlqyeshme dhe përkushtimin e gostivarases që po bën në profesionin e saj si refere e futbollit.

Njëkohësisht ky fakt paraqet mirënjohje edhe për Federatën e Futbollit të Maqedonisë, për kujdesin që tregon për edukimin dhe avansimin e referëve.

Ndryshe ndeshja e zhvilluar në “Allianc Arena” para 20 mijë spektatorëve, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, në fund u mbyll me fitore minimale 1:0 të skuadrës gjermane.

Ishte kjo vetëm ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, derisa ndeshja e kthimit në program është me datë 29 mars në Londër. (infOSport.mk)

Leave a Reply