E mërkura në futbollin vendor do të sjellë super derbin e Ligës së Dytë midis Voska Sport dhe Pelisterit, me të cilën ndeshje edhe zyrtarisht mbyllet java e 21-të, njofton “infOSport.mk”.
Që të dyja skuadrat po shkëlqejnë në stinorin pranveror, duke regjistruar 4 fitore dhe vetëm një barazim në 5 ndeshjet e para.
Një ndeshje kjo që konsiderohet shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat që do të synojnë 3 pikët për tu mos u dorëzuar në luftën për dy vendet e para.
Njëherit djemtë e Berat Imerit nuk do të luajnë vetëm kundër manastirasve të Boban Babunskit, por edhe kundër historisë së përballjeve mes dy ekipeve, që ka filluar vetëm gjatë vitit 2021, kur këto dy skuadra ishin takuar për herë të parë në një miqësore.
Ajo ndeshje e zhvilluar në Ohër ishte mbyllur me shifrat 2:2, ndërsa me barazim, mirëpo pa gola, ishte mbyllur edhe miqësorja e vitit 2022, vit ky në të cilin këto dy skuadra për herë të parë zhvilluan edhe një ndeshje zyrtare, që i përket sezonit aktual.
Ndeshja e zhvilluar në Manastir ishte mbyllur me barazim 1:1, si dhe me tre gola të anuluar të skuadrës së Voska Sport, duke u futur kështu në historinë e futbollit vendor.
Në këto kushte vendasit e Voska Sport kanë një motiv më tepër për të synuar fitoren ndaj Pelisterit, së pari për të thyer “tabunë” e fitores dhe së dyti për të dëshmuar se janë skuadër më e mirë për momentin. (infOSport.mk)