Struga Trim Lum ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme në Shkup përballë Rabotniçkit, duke vazhduar rrugëtimin drejt titullit kampion. Fitorja e sotme përfitoi edhe më shumë në peshë, kjo falë barazimit të një prej rivalëve direkt për titull, FC Shkupit, që barazoi në Strumicë përballë Akademia Pandev.
Ndryshe për fitoren e sotme minimale në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit, u përkujdes sulmuesi 20-vjeçar, Hristijan Maleski.
Valentin Koçoski mjaft mirë harkoi nga e majta, ndërsa sulmuesi ynë, që së fundmi morri ftesë për te përfaqësuesja shpresa e Maqedonisë, nga brenda 5-metërshit arriti që të vendos topin pas shpinës së portierit vendas, Aleksovski.
Për Maleskin ishte ky goli i 6-të sezonal, duke rezultuar të jetë golashënuesi i dytë te skuadra jonë, pas Besart Ibraimit, që ka realizuar 10 gola.
Pas 24 xhirove, vazhdojmë të jemi lider në elitën e futbollit vendor me 46 pikë, 4 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë.
Xhiron e ardhshme, që në program është pa dy javësh (02 prill), për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në eliminatoret për Euro 2024, në terren vendas do të mirëpresim skuadrën e Akademia Pandev.