Arsenali i ka dhënë fund aventurës në garat e Liga Europa të këtij edicioni, pasi sonte u eliminua nga Sportingu i Lisbonës, edhe atë pas ruletit të penaltive, pavarësisht se “topçinjtë” kishin kaluar të parët në epërsi falë golit të kapitenit Granit Xhaka.
Futbollisti shqiptarë shënoi në minutën e 18-të kur shfrytëzoi një devijim të topit nga ana e portierit mysafir, mirëpo një supergol nga gjysma e fushës në minutën e 62-të, nga portugezi Pedro Gonçalves çoi ndeshjen në kohën shtesë, e cila përfundoi sërish në barazim duke i vënë lojtarët përballë përgjegjësisë së penaltive.
Saka, Odegaard e Trossard gjetën rrugën e rrjetës, por një penallti e gabuar nga Gabriel Martinelli i dha fund “ëndrrës” londineze për të fituar trofeun e 2-të më të rëndësishëm në Evropë.
Tashmë, “luzitanëve” të Sporting Lisbon do u duhet të presin deri mesditën e nesërme për të zbuluar kundërshtarin e radhës në këtë kompeticion, me shortin që do të hidhet si zakonisht në Nyon.
Më poshtë mund të shihni edhe rezultatet nga ndeshjet tjera të 1/8 së finales në kuadër të Liga Europa, ku bie në sy fitorja e thellë 7:1 e Fejenordit ndaj ukrainasve të Shakhtar, ajo e belgëve të Royale Union SG që eliminuan gjermanët e Union Berlin (3:0), si dhe fitoret e Juventusit dhe Mançester Junajtedit, që edhe në ndeshjet e kthimit regjistruan fitore përballë Frajburgut, gjegjësisht Betisit. (infOSport.mk)