Në prag të ndeshjes së parë kualifikuese me Maltën, e vlefshme për eliminatoret e Europianit të vitit 2024, seleksionuesi i Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Milevski, ka shpallur sot listën e zgjeruar të futbollistëve të grumbulluar për këtë ndeshje, por njëkohësisht edhe për miqësoren kundër Ishujve Faroe, njofton “infOSport.mk”.
Në listën e Milevskit bëjnë pjesë plotë 28 futbollistë, në mesin e të cilëve edhe plotë 7 futbollistë shqiptarë. Visar Musliu, Ezgjan Alioski, Egzon Bejtullai, Enis Bardhi, Arijan Ademi, Agon Elezi dhe Valon Et’hemi, janë emrat e tyre, ndërsa një emër i ri është ai i Davo Zdravkovskit të AEL Limasol.
Në këtë listë të zgjeruar të futbollistëve, bie në sy mungesa e dy mesfushorëve, Boban Nikollov dhe Stefan Spirovskit, si dhe prezenca e 5 futbollistëve nga kampionati vendor, Kristijan Naumovski (FC Shkupi), Igor Aleksovski (Rabotniçki), Vladica Brdarovski (FC Shkupi), Bojan Dimovski (Ak.Pandev) dhe Egzon Bejtullai (Shkëndija).