FC Shkupi pas plotë 123 ditëve u rikthye të luaj në stadiumin e Çairit, ndërsa me këtë kjo skuadër u rikthye tek fitorja, që erdhi pas tre ndeshjeve, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e trajnerit Goce Sedlloski si vendas në kuadër të javës së 23-të në elitën e futbollit vendor, mundi Rabotniçkin me rezultatin 3:1, me të gjithë golat që u shënuan gjatë pjesës së parë.
Mbrojtësi Kosovar, Melos Bajrami shënoi golin e parë me fanellën e FC Shkupit, duke i dhënë avantazhin skuadrës vendase vetëm pas 11-të minutave lojë, derisa golin e parë me fanellën e Rabotniçkit e realizoi edhe strugani Atdhe Mazari, që pasi pranoi një top në thellësi para zonës kundërshtare, me një lëvizje të bukur arriti që të shmang Bajramin dhe me të majtën e tij të shënojë për barazim të rezultatit në 1:1.
Pas një aksioni model në minutën e 33-të, braziliani Inacio Kueven riktheu epërsinë e FC Shkupit, kur mjaft mirë pranoi një top para portierit Aleksovski nga ana e Cefas, i cili 5 minuta më vonë arriti që të shënojë edhe golin e tretë në rrjetën e “romantikëve”.
Për Cefas, ishte ky goli i 8-të sezonal, duke rezultuar kështu si golashënuesi më i mirë i skuadrës nga Çairi dhe i treti në renditjen e përgjithshme të Ligës së Parë, pas Besart Ibraimit dhe Lupçe Dorievit.
Ndryshe FC Shkupi me këtë fitore i afrohet në vetëm dy pikë Struga Trim Lumit, skuadër kjo që barazoi pa gola ndaj Makedonija GJ.P.
Skuadra strugane udhëheq renditjen me 43 pikë, dy më shumë se FC Shkupi, skuadër kjo që javën e ardhshme do të përballet me Akademia Pandevin në Strumicë. (infOSport.mk)