Futsal, Maqedonia mundi Suedinë, shpreson në kualifikim për në fazën finale

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futsal të dielën në palestrën “Jane Sandanski” ka mundur Suedinë në ndeshjen e xhiros së katërt të grupit 10 kualifikues, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Skenderovski shënuan fitore 3:1, duke shpresuar në një kualifikim për në fazën finale, përmes së cilës do të luftonin për një vend në Botërorin e vitit 2024.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë Darko Rangotov kaloi në epërsi Maqedoninë. Rangotov doli në skenë edhe 5 minuta më vonë, kur shënoi për 2:0, ndërsa shpresat e Suedisë i riktheu Diaz me golin e realizuar në minutën e 30.

Megjithatë gjithçka morri fund në minutën e 39-të, kur Igor Leovski shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e suedezëve, duke iu hakmarrë atyre për disfatën në ndeshjen e parë në Suedi, kur Maqedonia kishte pësuar me shifrat 5:2.

Me këtë fitore, Maqedonia me 4 pikë renditet në pozitën e dytë, pas Italisë lidere që ka 7 pikë, ndërkohë Suedia me 3 pikë mban pozitën e fundit në grup.

Vendimtare do të jetë ndeshja e fundit midis Suedisë dhe Italisë që do të zhvillohet me datë 8 mars në tokën suedeze. Në rast se “axurrët” shënojnë fitore në këtë ndeshje, atëherë Maqedonia do të ruante pozitën e dytë, në të kundërtën, Suedia do të ishte e dyta, nëse edhe do të barazonte me Italinë e vendit të parë.

Kujtojmë, pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në këto eliminatore, janë edhe lojtarët shqiptarë, si Taulant Ismaili, Erkan Seferi, Jakup Ramadani, Sadat Ziberi dhe Ismet Ceka, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe të dielën kundër Suedisë. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply