Shkëndija e Tetovës sot në Shtip do të përballet me Bregallnicën vendase, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 21-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Sulmuesi anësorë i Shkëndijës, Adenis Shala, vlerëson maksimalisht këtë duel, duke paralajmëruar se ekipi kërkon tre pikë nga kjo transfertë, ndërsa i njëjti thotë se ka ardhur koha që edhe të shënojë.
“Duke llogaritur ndeshjen e fundit që kemi zhvilluar ndaj tyre në Tetovë, mendoj se Bregallnica është rival mjaft i vështirë për tu mposhtur. Mirëpo unë kam besim te ekipi unë dhe nëse japim 100% nga vetja, prej këtij dueli do të dalim me rezultat pozitiv, edhe pse të gjithë në skuadër jemi të vetëdijshëm se nuk e kemi nisur mirë këtë sezon. Mirëpo duke pasur parasysh se akoma ka shumë ndeshje për tu zhvilluar, mendoj se do të arrijmë objektivin që e kemi ne si klub. Shpresoj t’ia dalim, pasi Shkëndija gjithmonë kërkon vetëm fitore dhe për këtë jemi të vetëdijshëm të gjithë ne lojtarët.”- u shpreh Adenis Shala, i cili në pyetjen nëse premton gol kundër Bregallnicës, u përgjigj: “Po, mendoj se do të fitojmë me Bregallnicën. Natyrisht shpresoj edhe të shënoj. Është koha për gol.”
Shala është një ndër futbollistët më standard te Shkëndija, ndërsa i njëjti këtë edicion me fanellën “kuqezi” ka zhvilluar 18 ndeshje në Ligën e Parë, duke regjistruar edhe 3 gola dhe 6 asistime. (infOSport.mk)