Shkëndija duelin e rradhës e luan në Shtip, ku përballë Bregallnicës vendase do të zhvillojë duelin e xhiros së 21-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Fitorja ndaj Pobedës të dielën e shkuar ka kthyer ekipin në rrugën e suksesit dhe ajo që këtë kërkohet tani është vazhdimësia.
Tradicionalisht, përballjet me Bregallnicën sjellin vështirësi për “kuqezinjtë”, por gjithashtu nga e kaluara vlen të theksohet se skuadra tetovare është ngritur pikërisht përballë këtij rivali, ndaj të cilëve nuk njohin humbje që nga prilli i vitit 2014-të.
Bregallnica pas 20-të xhirove mban vendin e 6 në renditje me 25 pikë të tubuara (6 fitore, 7 barazime, 5 disfata), ndërsa vlen të theksohet se në dy ndeshjet e pranverës, kjo skuadër nuk ka pësuar gol.
Në anën tjetër, Shkëndija me 8 fitore, 7 barazime dhe 3 disfata, renditet në pozitën e tretë, ndërsa barazimi i FC Shkupit sot, rrit ambiciet e skuadrës së Qatip Osmanit, për tu afruar sa më shumë me dy skuadrat e para në renditje.
Në dy takimet e fundit mes veti në Tetovë në vjeshtë dhe sezonin e shkuar në Shtip rezultati ishte baraz 0:0. Jo rrallë duelet mes këtyre dy skuadrave kanë prodhuar edhe shumë gola, ndërsa siç përmendëm më lartë “kuqezinjtë” nuk njohin humbjen nga viti 2014, prej kur deri tani në 15 ndeshjet e fundit kanë bilans prej 10 fitoreve dhe 5 barazimeve.
Ndeshja midis Bregallnicës dhe Shkëndijës nesër në Shtip, starton nga ora 14:00. (infOSport.mk)