Trajkov i mohon fitoren dhe kreun e tabelës së klasifikimit FC Shkupit (VIDEO)

FC Shkupi dhe Akademia Pandev kanë zhvilluar një super ndeshje sot në Kërçovë, që në fund u mbyll me 6 gola të shënuar dhe barazim 3:3, njofton “infOSport.mk”.

E njëjta dhuroi shumë emocione, luftë, kthesa në rezultat dhe mbi të gjitha edhe gola të bukur.

FC Shkupi kaloi në avantazh vetëm pas 12 minutave lojë, falë golit të shënuar nga Renaldo Cefas. I njëjti mjaft mirë shfrytëzoi pasimin e Brdarovskit dhe koordinimin e mirë me Adetunxhin, për të shënuar në rrjetën e Alçevskit.

Akademia Pandev u kundërpërgjigjë në minutën e 27-të, kur Vane Krstevski pas një depërtimi të bukur nga e djathta, shënoi një super gol për barazim të rezultatit në 1:1.

Në minutën e 36-të mbrojtësi shqiptarë, Agron Rufati shënoi një gol mjaft të bukur me kokë, duke shfrytëzuar një harkim në zonën e “bardhebluve” nga rivënia e këndit. Ishte ky goli debutues i Rufatit me fanellën e Akademia Pandev, te e cila skuadër u transferua gjatë merkatos së dimrit.

Megjithatë, gëzimi i mysafirëve nga Strumica zgjati shumë pak, pasi në aksionin e rradhës, Mamadu Danfa, shënoi një super gol, duke barazuar shifrat në 2:2.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë 45 minutave të para, pasi në minutën e tretë shtesë, Valid Hamidi duke shfrytëzuar një harkim para golit kundërshtarë nga afërsia shënoi për 3:2.

Pjesa e dytë rezultoi të jetë më e varfër sa u përket golave të shënuar. Vetëm një gol dhuroi kjo pjesë, edhe atë në minutat shtesë, kur futbollisti mysafir, Dimitar Trajkov shtangu vendasit e FC Shkupit, duke iu mohuar fitoren, por njëkohësisht edhe kreun e tabelës.

Me këtë barazim, FC Shkupi mbetet në pozitën e dytë, tashmë me vetëm një pikë më pak se liderët e Struga Trim Lum, ndaj së cilës skuadër kampionët në fuqi do të takohen në mesjavë në kuadër të javës së 22-të.

Në anën tjetër, Akademia Pandev me 16 pikë, renditet në pozitën e 9-të.

Leave a Reply