Në prag të ndeshjes së nesërme kundër Bregallnicës, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani po has në shumë probleme, pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e disa prej futbollistëve titullarë, raporton “infOSport.mk”.
Ljupço Doriev, Bruno Dita dhe Dashmir Elezi mbeten jashtë kombinimit për lojë kundër Bregallnicës, ndërsa në dyshim është edhe Ferhan Hasani me të cilin stafi teknik nuk dëshiron të nxitojë për ta aktivizuar.
Lëndimi në kokë në takimin me Shkupin e la një kohë jashta procesit stërvitor dhe kapiteni i “kuqezinjëve” tashmë duket shumë më mirë, por mbase edhe disa ditë mos ngarkesë maksimale do t’i bënte mire për tu rikuperuar plotësisht.
Gjithsesi ai është përfshirë në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Shtipit, ndërsa para ndeshjes do të vendoset nëse do të fillojë ndeshjen, do të jetë në bankinë apo fare nuk do të konkurojë për të luajtur.
Almir Rexhepi është rikuperuar dhe pas kthimit në Shkëndijë në janar, për herë të parë futet në kombinim për lojë.