Liga e Dytë, Voska Sport dhe Gostivari nuk gabojnë, fiton edhe Vardari

Java e 18-të në Ligën e Dytë doli të jetë e mbarë për skuadrat favorite, që vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt objektivave që kanë hartuar që para fillimit të sezonit, njofton “infOSport.mk”.

Kështu, Voska Sport, Gostivari, Vardari dhe Pelisteri pa shumë probleme shënuan fitore ndaj kundërshtarëve të tyre. Edhe njëherë tjetër Voska Sport bëri një ndeshje të madhe, duke demoluar këtë herë Sasa-n me rezultatin 4:0. Edhe në këtë ndeshje me lojë të mirë u dallua Behar Fetai, i cili realizoi dy gola, derisa nga një gol për skuadrën shqiptare nga Ohri realizuan edhe Fiton Ademi dhe Besart Rexhepi.

Gostivari falë golit të shënuar nga Filip Petkovski në minutën e 70-të, regjistroi fitore minimale ndaj Besës së Dobërdollit, ndërkohë Vardari me shifrat 2:0 mundi skuadrën e Detonit Plaçkovica nga Radovishi. Që të dy golat “kuqezinjtë” nga Shkupi i realizuan në pjesën e dytë, edhe atë fillimisht me anë të Vecev në minutën e 60-të, derisa Cvetanovski në minutën e 83-të vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.

Pelisteri edhe përkundër disavantazhit që kishte përballë KF Arsimit, në fund regjistroi fitore 3:1. Asani kaloi në epërsi skuadrën mysafire falë golit të shënuar në minutën e 39-të, derisa një minutë para fundit të pjesës së parë, Spirkoski u përkujdes për barazim të rezultatit.

Vetëm pas 4 minutave lojë në pjesën e dytë, Manevski për herë të parë kaloi në epërsi Pelisterin në këtë ndeshje të zhvilluar në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir, derisa Naumoski me golin e realizuar në minutën e 87-të vulosi fitoren e 12 sezonale të skuadrës së tij.

Bellasica regjistroi edhe fitoren e tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara gjatë stinorit pranveror, duke mundur këtë herë Karaormanin me rezultatin minimal 1:0, Kozhuvi me shifrat 2:1 mundi Ohrid Lihnidos, derisa Boreci në xhiron e 18-të arriti të marrë pikën e parë këtë edicion, duke barazuar 1:1 në Tetovë përballë Teteksit.

Java e 18-të mbyllet të dielën me ndeshjen midis Slloga Vinicës dhe Lokomotivës. (infOSport.mk)

Leave a Reply