Potenciali ekonomik i Premierligës angleze është i padiskutueshëm. Këtë e demonstrojnë klubet e tyre në tregjet e transferimeve, ku ata paguajnë miliona për të nënshkruar me futbollistë të ndryshëm, duke lidhur kontrata astronomike.
“The Times” ka publikuar të dhënat ekonomike të skuadrave kryesore në garë, për sa u përket pagave, e ku mbi të gjithë është Mançester Junajtedi.
I njëjti burim bënë me dije se “Djajtë e Kuq” edicionin e kaluar për pagat e futbollistëve kanë ndarë plotë 432.5 milionë euro.
Pas tyre vjen ekipi i Liverpullit, i cili ndau 412.1 milionë, ndërsa Mançester Siti mbyll podiumin, duke zënë vendin e tretë në këtë renditje të veçantë me një shpenzim prej 398.7 milionë euro.
Drejtuesit e Totenhamit për pagat e futbollistëve kanë ndarë 235.3 milionë euro, ndërsa Arsenali, lideri aktual i kompeticionit, shpenzoi 232 milion euro. Sa i përket Çelzit, të dhënat që ata përmendin janë 374.9, megjithëse sqarojnë se i referohen viteve 20-21, pasi ato të 21-22 nuk dihen ende.
Për sa i përket rritjes së fuqisë ekonomike, bie në sy Liverpulli, i cili është rritur, për sa i përket pagave, me 75% krahasuar me vitin 2017, duke kaluar nga 234.2 milionë që i kushtoi futbollistëve atë sezon në 412.1 që shpenzoi në vitet 2021-2022.