Srgjan Zaharievski nuk do të udhëheq ekipin e Struga Trim Lum në vijim të kampionatit. Vendimi i kryesisë klubit i është njoftuar teknikut në mënyrë korrekte dhe si e tillë ishte pranuar nga ana e strategut 49-vjeçar, i cili drejtimin e skuadrës së Struga Trim Lum e morri me 12 mars të vitit 2020, njofton “infOSport.mk”.
Në një periudhë prej më pak se dy vite, Zaharievski skuadrën strugane e udhëhoqi në 87 ndeshje, ku kishte regjistruar 38 fitore, 30 barazime dhe 19 disfata. Pra plotë 144 pikë, apo 1.66 pikë për ndeshje është epilogu i pikëve të fituara të skuadrës së Struga Trim Lum nën drejtimin e strategut nga Kriva Pallanka, nën drejtimin e të cilit kjo skuadër arriti suksesin më të madh historik, kur në vitin 2021 luajti në ndeshjet e Ligës së Konferencës.
Struga Trim Lum me Zaharievskin në krye edhe këtë vit u paraqit mjaft mirë në futbollin vendor, duke u shpallur kampione e vjeshtës, ndërsa gjithashtu kjo skuadër siguroi një vend edhe për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës. Megjithatë starti i dobët i stinorit pranveror, sidomos pas një merkatoje mjaft të mirë dhe mbi të gjitha përgatitje shumë mirë të organizuara në Antalia të Turqisë, bënë që Zaharievski ndoshta të humbas besimin e drejtuesve, të cilët me siguri se kanë pritur të sigurojnë më shumë pikë se vetëm dy të arkëtuara, pas barazimeve ndaj Tikveshit (1:1) dhe Makedonija GJ.P (0:0).
Mbetet të shihet se kush do të jetë pasuesi i Zaharievskit, i cili mund të thuhet se ishte më jetëgjati te skuadra strugane, prej kur se kjo skuadër garon në mesin e më të mirëve në futbollin vendor. (infOSport.mk)