Skuadra e Sionit ndodhet në një krizë të thellë rezultatesh, teksa 11 ndeshje me rradhë nuk dinë për fitore në Superligën e Zvicrës. Kjo ka bërë që skuadra e Sionit të renditet në pozitën e parafundit me 22 pikë, po aq sa ka edhe skuadra e fundit në tabelën e klasifikimit, Vinterturi.
E gjithë kjo ecuri negative, ka çmendur edhe presidentin e Sionit, Christian Constantin, i cili ka vendosur të ndërmarrë hapa drastikë, duke marrë rolin e trajnerit vetë për një javë!
Presidenti kontrovers i skuadrës së Mario Balotellit ka pezulluar trajnerin Fabio Celestini pas disfatës së rëndë të fundit nga Sent Gallen (4:0) dhe përmes faqes zyrtare ka bërë të ditur se në javët në vazhdim do të jetë vetë ai që do të drejtojë ekipin, edhe atë fillimisht në ndeshjen çerekfinale të Kupës kundër Luganos (01.03), ndaj së cilës skuadër do të luaj edhe me datë 5 mars në kuadër të javës së 23 në Superligën e Zvicrës.