Një ndër skuadrat më të vjetra shqiptare, FC Dinamo nga Tirana, ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Nevil Dede, përcjellë “infOSport.mk”.
Tekniku 48-vjeçar nuk do të jetë më në krye të pankinës blu pas marrëveshjes së dyanëshme të arritur mes palëve për prishjen e kontratës.
Dede drejtimin e FC Dinamos e morri me 1 korrik të vitit të kaluar, duke udhëhequr këtë skuadër në 20 ndeshje, duke regjistruar 11 fitore, 5 barazime dhe 4 disfata, përfshirë këtu edhe atë të fundit në shtëpi përballë Tomorit nga Berati.
Pas kësaj disfate, Dinamo e Tiranës renditet në pozitën e tretë në Ligën e Parë Shqiptare me 31 pikë, dy më pak se skuadra kryesuese e Skënderbeut.
Kujtojmë, Nevil Dede gjatë karrierës së tij përveç Dinamos së Tiranës kishte udhëhequr edhe Tiranën, Laçin, Luftëtarin, Kastriotin dhe Erzenin, ndërsa gjithashtu kishte drejtuar edhe kombëtaren U19 të Shqipërisë. (infOSport.mk)