Struga Trim Lum edhe në ndeshjen e dytë të stinorit pranveror ka barazuar, këtë herë në shtëpi përballë Makedonija GJ.P.
Edhe përkundër dominimit të plotë, Struga Trim Lum nuk arriti dot të shënojë, madje edhe nga penaltitë, pasi në dy raste gaboi golashënuesi i tyre më i mirë, Besart Ibraimi, raporton “infOSport.mk”.
Bomberi kërçovarë në minutën e 35 ekzekutoi penaltinë e parë, të cilën e përfitoi pas një lëvizje mjaft të mirë në zonën kundërshtare.
Goditjen e Ibraimit e priti portieri Stevkovski, i cili ishte me fat në penaltinë e dytë, pasi goditja e sulmuesit nga Kërçova përfundoi në shtyllë.
Struga Trim Lum vazhdoi me inciativë, duke rrezikuar portën mysafire në vazhdimësi, edhe pse një kundërzbritje e “verdhekuqve” në minutën e 85-të mund të ishte e kobshme për ekipin strugan, në rast se portieri Qoshevski nuk do të reagonte në mënyrë bravuroze pas goditjes së Lazareviq.
Tentativën e fundit dhe rastin e rradhës për të shënuar golin e epërsisë për Struga Trim Lum, e pati Bunjamin Shabani, mirëpo goditja e këtij të fundit u devijua në rivënie nga këndi.
Në fund barazim pa gola në një ndeshje mjaft emocionuese, në të cilën skuadra kampione e vjeshtës, Struga Trim Lum për herë të dytë dështon të marrë 3 pikëshin e plotë në ndeshjet e stinorit pranveror. (infOSport.mk)