Asgjë nga dënimi me pikë, apo me humbjen në tavolinë të ndeshjes së fundit kundër Lokomotivës për Gostivarin, skuadër kjo që në këtë mënyrë vazhdon të mbetet lider në Ligën e Dytë, njofton “infOSport.mk”.
Gostivari e kishte fituar ndeshjen e së shtunës së kaluar me rezultat minimal 1:0 ndaj Lokomotivës, drejtuesit e së cilës skuadër bashkë edhe me ata të Vardarit, menjëherë pas ndeshjes kishin dërguar ankesë deri te FFM, për paraqitjen e lojtarit Gordijan Hristovski, pasi sipas tyre i njëjti nuk kishte të drejtë loje, pasi brenda një sezoni ka ndërruar 4 skuadra.
Megjithatë i shpejtë ishte reagimi i drejtuesve të Gostivarit, që përmes faqes së tyre zyrtare në “facebook”, bënë të ditur se të gjithë lojtarët e tyre janë me kohë të regjistruar dhe posedojnë licencën e duhur për të zhvilluar ndeshje në Ligën e Dytë.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe sot nga ana e Komisionit për gara pranë FFM-së, që ndeshjen midis Gostivarit dhe Lokomotivës, e regjistroi me rezultatin e arritur 1:0 dhe 3 pikë për Gostivarin, që në këtë mënyrë avanson në Ligën e Dytë me 40 pikë, 3 më shumë dy ndjekësit më të afërt, Voska Sport dhe Vardar. (infOSport.mk)