Ballkani dhe Llapi shënojnë fitore, Rahmani sërish deçiziv për kampionët

Janë mbyllur edhe dy takimet e fundit të javës së 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, aty ku skuadra kampione në fuqi e Ballkanit sërish udhëheq e vetmuar renditjen tabelare, para Dritës së Gjilanit, njofton “infOSport.mk”.

Ballkani i Ilir Dajës mundi në Mitrovicë skuadrën e Trepça ’89, edhe atë falë një goli të shënuar nga goleadori Albion Rrahmani  në minutën e 89-të. Ishte ky goli i 12-të sezonal për sulmuesin 22-vjeçar të Ballkanit, që në këtë mënyrë barazohet me Besnik Krasniqin në krye të listës së golashënuesve në elitën e futbollit Kosovar.

Me po të njëjtin rezultat, 0:1, fitore regjistroi edhe Llapi, që mundi Dukagjinin në transfertë. Golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën nga Podujeva e realizoi Festim Alidemaj në minutën e 12-të.

Pas 21 xhirove, Ballkani me 47 pikë i prinë tabelës së klasfikimit, duke lënë pas vetes Dritën e Gjilanit, që ka 44 pikë, ndërkohë Llapi i Tahir Batatinës me 29 pikë të grumbulluara pozicionohet në vendin e katërt, pas Gjilanit të Zekirja Ramadanit, që mban pozitën e tretë me 32 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply