Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se Komisioni i Garave për rastin e Klubit Futbollistik Gostivari dhe paraqitjen e diskutueshme të futbollistit Gordian Hristovski do të diskutojë të premten, kur edhe do të marrë vendimin përfundimtarë.
“Komisioni i Garave pranë FFM-së, pas pranimit të raportit me shkrim nga Komisioni verifikues për rastin e regjistrimit të kontestuar të futbollistit të KF Gostivarit, do të merr vendim në përputhje me rregulloret e garës në seancën që do të mbahet këtë të premte”, kanë thënë nga FFM.
Kujtojmë se mbetet e kontestueshme paraqitja e futbollistit Gordian Hristovski dhe regjistrimi i tij te skuadra e Gostivarit. Hristovski luajti të shtunën në ndeshjen kundër Lokomotivës, teksa nga tabori i skuadrës lidere në Ligën e dytë pretendojnë se lojtari në fjalë është regjistruar me kohë dhe se nuk ka asnjë shkelje këtu.
Mirëpo nëse vërtetohet e kundërta, atëherë KF Gostivari i kanoset humbja e ndeshjes në tavolinë 0:3, ndërsa gjithashtu ata mund të dënohen edhe me heqje pikësh.