Shkëndija vitin 2023 do ta nis me transfertën në Kër përballë Shkupit. Dueli do të luhet në Kërçovë shkak i pezullimit të fushës së skuadrës shkupjane, por gjithsesi do të jetë ky derbi i madh i futbollit vendor ndërmjet dy ekipeve që diskutojnë titullin kampionë në vitet e fundit.
Shkëndija ka lënë pas përgatitje shumë cilësore të cilat u zhvilluan në Tetovë e Antalia, ndërsa stafi teknik beson se përmes ndeshjeve kontrolluese ekipi ka gjetur formën optimale.
“Mendoj se skuadra është e gatshme. Edhe pse që në start para vetes kemi ndeshje derbi dhe ballafaqohemi me kampionin aktual, megjithatë Shkëndija është e gatshme. Edhe pse në ndeshje kontrolluese ndoshta nuk kemi treguar atë që kemi pritur të tregojmë, por gjithsesi ka ndryshim të madh në mes ndeshjeve kampionale dhe ndeshjeve kontrolluese. E kam fjalën për aspektin e motivimit, i cili në ndeshjet zyrtare është shumë ndryshe, angazhimi sigurisht se do të jetë më i madh, ashtu që presim në ndeshjen e parë Shkëndija të jetë në nivel dhe ta shofim një Shkëndija që të gjithë duam ta shofim.” – është shprehur trajneri Qatip Osmani për faqen zyrtare të klubit tetovar.
Strategu i “kuqezinjëve” thotë se Shkëndijës i duhet rezultat pozitiv, për ta pasur më të lehtë në ndeshjet në vijim.
“Patjetër një ndeshje derbi si kjo me Shkupin ndoshta do të jetë testi më i mirë. Por ne për këtë ndeshje jemi përgatitur si për çdo ndeshje tjetër. Jemi të vetëdijshëm se kjo ndeshje ka vlerë të madhe për rrjedhën e mëtejme të kampionatit. Ne si staf teknik gjithë kohën kemi folur dhe futbollistët janë të vetëdijshëm se Shkëndijës i duhet rezultat pozitiv, për të zhvilluar me lehtë ndeshjet tjera që na presin në kampionat.” – deklaroi Osmani.
Ndeshja e sotme midis FC Shkupit dhe Shkëndijës, prej kur se skuadra nga Cairi garon me këtë emër, do të jetë ndeshja e 26 mes këtyre dy skuadrave, ku deri më tani, Shkëndija numëron 12 fitore, kundrejt vetëm 3 fitoreve të FC Shkupit, derisa 10 ndeshje janë mbyllur me barazime. (infOSport.mk)