Interi ka shënuar fitore 3:1 ndaj Udinezes në ndeshjen e vlefshme të javës së 23-të në Serie A, duke përforcuar vendin e dytë në renditje me 47 pikë të grumbulluara, tre më shumë se skuadra rivale e Milanit, që më herët gjatë të shtunës mundi Moncan me rezultatin minimal 1:0 falë golit të Mesias.
Golin e parë për “zikaltërit” në këtë ndeshje e realizoi Romelu Lukaku, i cili për golin e tij të parë pas plotë 189 ditësh, iu desh që penaltinë ta ekzekutojë dy herë, kjo edhe për fat të mirë të tij, pasi herën e parë e humbi, por e njëjta u desh të përsëritet, kjo për shkak lojtarëve që ishin futur në zonë para se belgu të godiste topin.
Megjithatë Lukaku nuk gaboi në rastin e dytë, duke mposhtur pa probleme Silvestrin, i cili nuk ka pritur asnjëherë penallti në Serie A.
Penalltia është dhënë nga një ndërhyrje shumë e ashpër e Walace ndaj Dumfries pas një përplasje mes Lukaku-t dhe Becao-s: fillimisht arbitri Dionisi nuk e ka konsideruar penallti, më pas e korrigjoi vendimin e tij pas ndërhyrjes së VAR.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, më saktësish në minutën e 43-të, Udinese realizoi golin e barazimit pas një kundërsulmi perfekt të finalizuar me gol nga Lovric.
“Zikaltërit” epërsinë e rikthyen në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 73-të, me një gol të mrekullueshëm të shënuar nga armeni, Mkhitaryan, i cili në mënyrën e duhur finalizoi një aksion të bukur të ekipit nikoqir.
Goli i sigurisë për “zikaltërit” erdhi në minutën e 89-të me autorë, Lautaro Martinez, i cili me lehtësi kaloi kundërshtarin e tij, që më pas të shënojë në rrjetën e skuadrës nga Udine.