Besart Ibraimi golin e parë në ndeshjet e tij ndaj Tikveshit e ka realizuar pikërisht me fanellën e Struga Trim Lum. Goli i tij hapi rrugën e fitores 2:0 në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Strugë, ndërsa i njëjti është gati që të ndihmojë skuadrën e tij edhe sot, ketë herë në transfertën në Kavadar.
Ibraimi është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi dhe pranon që do ta kenë të vështirë, kjo edhe për faktin se është kjo vetëm ndeshja e parë zyrtare dhe vjen pas një faze të fortë të përgatitjeve, që skuadra i kishte realizuar këtë herë në Antalya të Turqisë.
“Do jetë ndeshje e vështirë, për më tepër që është kjo vetëm ndeshja e parë e gjysmëstinorit pranveror. Këto ndeshje çdoherë janë më të rënda, pasi ekipi vjen pas një faze të fortë të përgatitjeve. Tikveshi ka dëshmuar se ka një skuadër cilësore edhe gjatë pjesës së parë të sezonit, ku ka arritur shumë rezultate pozitive, sidomos në ndeshjet në shtëpi, megjithatë neve si Struga Trim Lum kemi ambiciet dhe qëllimet tona, ashtu që do bëjmë më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv nga kjo transfertë e vështirë” – u shpreh Besart Ibraimi, i cili gjatë këtij edicioni në 17 ndeshje ka realizuar 9 gola.
Ndeshja Tikveshi-Struga Trim Lum zhvillohet në stadiumin e qytetit në Kavadar me fillim në ora 14:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri Aleksandar Grujoski.