Gostivari dhe Voska Sport e kanë nisur me këmbë të mbarë stinorin pranveror, derisa ka gabuar Vardari, që në terren vendas barazoi 1:1 ndaj KF Arsimit, njofton “infOSport.mk”.
Kampionët e vjeshtës në Ligën e Dytë, Gostivari, në terren vendas falë golit të shënuar nga Rinor Ajdini në minutën e 17-të mundi minimalisht Lokomotivën.
Për dallim nga Gostivari, skuadra e Voska Sport pa shumë probleme mundi Karaormanin me shifrat 4:1.
Figurë qendrore e takimit doli të jetë përforcimi i janarit, Fiton Ademi, i cili shënoi dy gola, nga një në secilën pjesë, ndërsa nga një gol tjetër gjatë 45 minutëshit të dytë, realizuan Arlind Aliti dhe Ardit Demiri.
Fitore bindëse edhe për Pelisterin, që në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir demoloi Kozhuvin me rezultatin 5:0. Dy gola në këtë ndeshje për “bardhegjelbërit” shënoi veteran Borçe Manevski, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Bllagojçe Spirkoski, Bllagoja Ljamçevski dhe Burhan Mustafov.
Besa e Dobërdollit falë dyshes sulmuese Lavdrim Skenderi, Maliq Beluli, mundi Sasa-n nga Kamenica me rezultatin 2:0. Me po të njëjtin rezultat, Teteksi në Tetovë mundi Ohrid Lihnidos, derisa fitoreve si vendas në këtë xhiro të parë të stinorit pranveror, iu gëzuan edhe Bellasica dhe Slloga e Vinicës.
Skuadra nga Strumica në ndeshjen mes ekipeve të Lindjes, mundi Detonit Junior me rezultatin 2:1, ndërkohë Slloga e Vinicës ishte e pamëshirshme ndaj Borecit, duke pëcjellë këtë skuadër për në Veles me 4 gola në rrjetë. (infOSport.mk)