Valmir Nafiu vazhdon karrierën në Sllovaki!

Valmir Nafiu pasi nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Qatip Osmani, i njëjti ishte i detyruar që të gjejë një mjedis të ri, ku do të vazhdonte karrierën e tij.

Edhe pse emri i tij fillimisht lidhej me një transferim te Struga Trim Lum, një gjë e tillë nuk ndodhi, ndërsa Nafiu tashmë i është bashkuar skuadrës sllovake të Koshice, që aktualisht garon në Ligën e Dytë, njofton “infOSport.mk”.

Nafiu nuk kishte udhëtuar fare me ekipin “kuqezi” në Antalia të Turqisë, njëjtë sikurse edhe Vlatko Stojanovski. Që të dy kishin qëndruar në Tetovë, dhe deri më tani nuk kishte asnjë informacion zyrtarë lidhur me këtë dyshe nga klubi i Shkëndijës, që gjatë kësaj merkatoje ka bërë shumë transferime, e që si pasojë për dyshen Nafiu – Stojanovski, nuk kishte vend në skuadër.

Nafiu së fundmi është parë të luaj me skuadrën e Koshice, por në mungesë të një informacioni zyrtarë nga të dyja palët, nuk dihet nëse i njëjti është transferuar si futbollistë i lirë, apo në formë huazimi nga Shkëndija, drejtuesit e së cilës skuadër pritet që ta informojnë opinionin.

Ndryshe Nafiu është një fëmijë i Shkëndijës, i cili që në moshën 18-vjecare ishte transferuar te Bazeli, që më pas të bëjë karrierë ndërkombëtare edhe te skuadra gjermane e Hamburgut, te APOEL Nikozia në Qipro si dhe te Skënderbeu në Shqipëri, ndërsa në futbollin vendor kishte provuar veten edhe me Renovën.

Nafiu në Ligën e Parë të Maqedonisë, numëron plotë 186 ndeshje, duke regjistruar njëkohësisht edhe 24 gola dhe 30 asistime. Me fanellën e Shkëndijës  i njëjti numëron 144 ndeshje dhe 15 gola të shënuar. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply