Lajm pikëllues nga Kroacia, ndërron jetë trajneri legjendarë Çiro Bllazheviç!

Një lajm pikëllues na vjen nga Kroacia, e që ka të bëjë me vdekjen në moshën 88-vjeçare të trajnerit legjendarë, Miroslav “Çiro” Blazeviç.

Tekniku i famshëm kroat, i cili vitet e fundit po luftonte me kancerin,ka qenë trajner i PAOK të cilin e çoi në finalen e kupës greke me Olimpiakos, sezonin 91/92.

Blazeviç, gjithashtu kishte drejtuar edhe ekipin kombëtar të Kroacisë, me të cilën skuadër në Botërorin e vitit 1998 në Francë, doli të zë vendin e tretë.

Me këtë rast Federata e Futbollit kroat përmes rrjeteve sociale kishte ngushëlluar familjen e Bllazheviç, duke theksuar se kishin humbur sot trajnerin e trajnerëve:

“Në Zagreb pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë legjenda Miroslav Çiro Bllazheviç. Çiro i dashur të qoftë i lehtë dheu i Kroacisë, ngushëllimet më të thella për familjarët më të afërt dhe gjithë dashamirët e futbollit që sot humbën ‘trajnerin e trajnerëve’”.

Për herë të fundit Çiro Bllazheviç kishte udhëhequr Zadarin në sezonin 2014-2015, ndërsa vlen të theksohet se ka fituar tituj në nivel kolektiv me Dinamo Zagreb, Sion, Grasshoppers, ndërsa ka qenë edhe në stolin e ekipeve kombëtare si Irani dhe Bosnja Hercegovina.

Vlen të theksohet gjithashtu  se Çiro Blazheviç ka drejtuar më parë edhe ekipin e Prishtinës. (infOSport.mk)

Leave a Reply