FC Shkupi mund kampionët e Gjeorgjisë, Dinamo Tbilisi (VIDEO)

FC Shkupi brenda dy ditëve ka zhvilluar edhe ndeshjen e dytë kontrolluese në Turqi, duke mundur këtë herë ekipin kampion të Gjeorgjisë, Dinamo Tbilisi, njofton “infOSport.mk”.

Të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski shënuan fitore 2:0, me të dy golat e shënuar që në pjesën e parë nga ana e dy sulmuesve, Mamadu Danfa dhe Sandej Adetunxhi. Danfa shënoi në minutën e 10-të, kur mjaft mirë reagoi në zonën kundërshtare pas asistimit të Valid Hamidi, i cili bëri një depërtim shumë të mirë nga ana e djathta.

Danfa u shfaq i rrezikshëm edhe në aksionin e rradhës të FC Shkupit, kur me një goditje nga vija e 16-të metërshit goditi shtyllën e djathtë pingule të portierit kundërshtarë, ndërsa i njëjti në minutën e 34-të përfitoi një penalti, pas një gabimi të mbrojtjes së Dinamo Tbilisi.

Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Sandej Adetunxhi, i cili nuk gaboi dhe në ato momente shënoi për 2:0.

Pjesa e dytë nuk prodhoi gola të tjerë, ashtu që FC Shkupi regjistroi fitoren e dytë në ndeshjen e tretë të zhvilluar tokën turke, pas asaj ndaj ukrainasve të FC Oleksandriya. Kujtojmë, dje skuadra nga Çairi pësoi disfatë 4:2 ndaj rumunëve të CS Concordia Chiajna. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply