Dita e sotme është e rezervuar për miqësoren midis Voska Sport dhe Pobedës së Prilepit, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Burimet e Biljanës” në Ohër, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Berat Imerit nuk dinë për disfatë në tre ndeshjet e deritanishme kontrolluese, derisa në anën tjetër Pobeda ka pësuar disfata në të dyja ndeshjet e zhvilluara në këtë fazë përgatitore.
Skuadra nga Prilepi fillimisht u mund nga FC Shkupi me rezultatin 4:2, ndërsa tre ditë më herët po në Ohër, ishte mundur minimalisht 2:1 nga Ohrid Lihnidos.
Kujtojmë, Voska Sport ndeshjet kontrolluese i kishte nisur me barazimin 2:2 kundër Shkëndijës në Tetovë, për të regjistruar më pas dy fitore të njëpasnjëshme ndaj skuadrave si KF Arsimi (2:1) dhe Bregallnica (3:0).
Vlen të theksohet se Voska Sport dhe Pobeda ishin takuar edhe fillimin e vitit të kaluar në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, në të cilën fitores me shifrat 3:2 i ishte gëzuar skuadra shqiptare nga Ohri.
Ndeshja e sotme, Voska Sport – Pobeda, starton në ora 14:00. (infOSport.mk)