Struga Trim Lum barazon me danezët e FC Helsingor, shënon sërish Besart Ibraimi

Struga Trim Lum ka barazuar 2:2 ndaj danezëve të FC Helsingor, ndeshje kjo që u zhvillua sot në  Antalia të Turqisë, aty ku skuadra strugane po kalon tashmë ditën e 8-të, njofton “infOSport.mk”.

Struga Trim Lum, sipas asaj që shkruajnë në faqen e tyre zyrtare në facebook kishte më shumë nga loja, ndërsa shumë pak mungonte që në fund të regjistronin edhe fitoren e parë në tokën turke, në rast se Ard Kasami ishte i saktë nga pika e bardhë.

Ndryshe Besart Ibraimi kaloi në epërsi skuadrën e Struga Trim Lum falë golit të shënuar në minutën e 28-të. Ishte ky goli i dytë për sulmuesin kërçovarë në këto ndeshje kontrolluese në Turqi, por që shumë shpejt gjeti kundërpërgjigje nga ana e skuadrës kundërshtare, që barazoi vetëm dy minuta më pas me anë të Drost.

Pas këtij barazimi skuadra strugane vazhdoi me të njëjtin ritëm, duke zotëruar mesfushën dhe duke tentuar që përmes aksioneve të rrjedhshme të gjejë edhe golin e dytë, që erdhi në minutën e fundit të pjesës së parë, me autorë Hristijan Maleski.

Pjesa e dytë nuk nisi mbarë për skuadrën kampione të vjeshtës, pasi FC Helsingor me anë të Mouritsen në minutën e 51-të shënoi edhe golin e dytë, duke barazuar shifrat në 2:2.

Doli të jetë ky rezultati përfundimtarë i këtij takimi, në të cilin, Struga Trim Lum, siç theksuam në fillim të tekstit, humbi edhe një penalti.

Ishte ky barazimi i dytë për Struga Trim Lum, pas atij ndaj ukrainasve të Kryvbas, ndërsa ndeshjen e fundit në kuadër të kontrollueseve në Turqi do ta zhvillojnë me datë 4 shkurt kundër moldavëve të Petrocub Hincesti.

Leave a Reply