Fitore bindëse e Voska Sport ndaj Bregallnicës, shkëlqen Ujkan Muça

Voska Sport ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë gjatë ditës së sotme në stadiumin “Burimet e Biljanës” në Ohër, duke e mundur me shifrat 3:0 ekipin e Ligës së Parë, Bregallnicën, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e tretë e skuadrës shqiptare nga Ohri në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror, e ku skuadra e drejtuar nga Berat Imeri po tregon nivel të kënaqshëm.

Fitoren e sotme ndaj skuadrës nga Shtipi e paralajmëroi Besart Rexhepi që në minutën e parë, ndërsa dy golat tjerë të shënuar në pjesën e dytë mbajnë firmën e sulmuesit, Ujkan Muça.

Dibrani fillimisht në minutën e 66-të dyfishoi shifrat në 2:0, ndërsa 5 minuta para fundit të takimit vendosi rezultatin përfudimtarë, Voska Sport 3, Bregallnica 0.

Edhe në këtë ndeshje trajneri Berat Imeri luajti me dy formacione të ndryshme, duke ju dhënë mundësinë gjithë futbollistëve që kishte në disponim. (infOSport.mk)

Leave a Reply