Shkëndija ka bërë një super merkato, teksa në rradhët e veta gjatë këtij afati kalimtarë ka arritur të sjellë disa emra shumë të bujshëm, që mund të ndryshojnë pasqyrën e skuadrës, por edhe rrjedhojën e kampionatit në pranverë, kur është në pyetje titulli kampion, shkruan “infOSport.mk”.
Drejtuesit e skuadrës tetovare gjatë ditës së sotme prezantuan një ndër futbollistët më të dashur në mesin e tifozërisë “kuqezi”, Ennur Totren, i cili do luaj në formë huazimi për 6 muaj nga rradhët e skuadrës ukrainase të Vorskla Poltavas. Megjithatë, Totre siç dihet nuk është emri i vetëm i angazhuar gjatë këtij afati kalimtarë, pasi më herët “kuqezinjtë” për vete kanë bërë edhe Kamer Qakën, Erald Çinarin, Almir Rexhepin, sulmuesin bullgar Nasko Milev, mesfushorin boshnjak, Mustafa Mujezinoviç si dhe talentin e Rabotniçkit, Metodi Maksimov.
Megjithatë lista e transferimeve siç mëson “infOSport.mk” nuk është mbyllur ende te Shkëndija, drejtuesit e së cilës skuadër për në fund kanë zgjedhur të ju bëjnë tifozëve të tyre edhe surprizën më të madhe, duke angazhuar reprezentuesin e Kombëtares shqiptare, Odise Roshi, që aktualisht luan në Turqi me skuadrën e Sakaryaspor.
Fieraku ka një eksperiencë të madhe në futbollin europian, ku përveç në Turqi, vite me rradhë kishte luajtur edhe në Superligën ruse, në Hungari, në Gjermani edhe atë me skuadrat e mirënjohura si Këlln dhe FSV Frankfurt, derisa në Shqipëri kishte luajtur me Apoloninë dhe me Flamurtarin.
Si duket tashmë ka ardhur koha që Roshi, i cili numëron plotë 70 ndeshje me kombëtaren shqiptare, të luaj për herë të parë në Maqedoni, edhe atë duke veshur fanellën “kuqezi” të Shkëndijës, që në pranverë do të tentojë titullin kampion, pas gjithë këtyre transferimeve të bujshme. (infOSport.mk)