Admin Abdulla është një ndër talentët e futbollit në vend, para të cilit është një e ardhme e ndritur. Bëhet fjalë për një futbollistë të datëlindjes 04.07.2008, i cili me futboll ka filluar të merret që nga mosha 6-vjeçare, ndërsa së fundmi i njëjti është ftuar edhe te përfaqësuesja e Maqedonisë U15, që udhëhiqet nga trajneri Rade Karanfillovski, njofton “infOSport.mk”.
Ndryshe Abdulla aktualisht është pjesë e skuadrës së Nju Stars, për të cilën skuadër gjatë stinorit vjeshtorë kishte realizuar 15 gola.
“Jam shumë i lumtur për ftesën e bërë nga ana e trajnerit Rade Karanfillovski për të qenë pjesë e përfaqësueses U15 të Maqedonisë. Vërtetë është një nder për mua, për familjen time, e mbi të gjitha për babain tim, i cili ndjek çdo hap timin. Me këtë rast falënderoj edhe trajnerin Karanfillovski për besimin e dhënë, por edhe trajnerët e ekipit amë të Nju Stars si dhe gjithë bashkëlojtarët, pasi besoj se edhe ndihma e tyre dhe loja kolektive kanë bërë që unë të arrijë deri këtu” – u shpreh fillimisht Admin Abdulla, i cili si çdo lojtar i ri, edhe ai ka ëndërrat e tij.
“Edhe pse ende nuk kam mbushur të 15-tat, në karrierën time të deritanishme kam marrë shumë diploma, mirënjohje por edhe medalje, që më bëjnë krenar dhe entuziast për të punuar edhe më shumë dhe që një ditë të realizojë ëndërrën e fëmijërisë. E di që është e vështirë, megjithatë ëndërr e imja është që të luaj me një skuadër si Real Madridi. Për këtë gjë duhet shumë punë dhe sakrificë, por mendoj se me punë dhe me një përkushtim shumë të madh, mund të eci rrugës së Enis Bardhit dhe Elif Elmas, që i kam si shembull” – thotë Abdulla.
Ky i fundit nesër niset drejt Kërçovës, aty ku edhe do të bëhet grumbullimi i përfaqësueses U15 të Maqedonisë, ku trajneri Rade Karanfillovski për 8 ditë do të mundohet për të nxjerrë më të mirën nga gjithë futbollistët e grumbulluar, përfshirë këtu edhe 14-vjeçarin nga Shkupi, për të cilin është kjo hera e parë që merr një ftesë të tillë, kjo edhe për faktin se Admin Abdulla gjatë stinorit vjeshtorë mahniti shumë njohës të futbollit dhe trajner të moshave të reja me paraqitjet e tij në fushën e blertë, por mbi të gjitha edhe me golat e shënuar, që do i kishin zili edhe futbollistët e gjeneratave më të mëdha. (infOSport.mk)